en-US
 
  • Site
  • Web
Search

Vushtrri, Thaçi premton 50 mijë vende pune dhe 500 milionë euro investime në bujqësi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka qëndruar në Vushtrri, ku i ka vizituar fermerët e këtij qytet dhe ka marrë pjesë në një debat të organizuar me fermerë në Iniciativën për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK).

Në këtë aktivitet Thaçi ishte i shoqëruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj dhe ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, si dhe Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku.

I pari i Qeverisë së Kosovës, ka zgjedhur pikërisht Vushtrrinë, për të dhënë premtimin më të madh të këtij viti, duke u zotuar që në katër vitet e ardhshme do të investohen 500 milionë euro në bujqësi dhe do të krijohen 50 mijë vende të reja të punës, raporton portali Veriu.info.

Por Thaçi nuk është ndalur vetëm me kaq, pasi që ka thënë se “Nga muaj maj fermerët do të përfitojnë nga 300 euro për hektar të tokës së punuar”.

Pasi që ishte në vendin ku tradicionalisht kultivohet patatja, Thaçi ka premtuar të subvencionoj për herë të parë edhe kultivimin e kësaj kulture bujqësore.

2

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, duke treguar se Vushtrria ka resurse të mira, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rriten investimet në bujqësi.

Ndërkaq, Drejtori Ekzekutiv i Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK), Zenel Bunjaku, ka thënë se janë bërë investime të mira në bujqësi. “Qeveria duhet t’i kushtoj rëndësi edhe edukimit të fermerëve dhe të heq akcizën për naftën që përdoret në bujqësi”, raporton Veriu.info.

Pronari i kompanisë PESTOVA, Bedri Kasumi, e cila merret me kultivimin dhe përpunimin e patates, përveç heqjes së akcizës për naftë ka kërkuar që kultivimi i patates të subvencionohet, të krijohet një fond për sigurimin e patates dhe të zgjerohet sistemi i ujitjes së tokave.