• Site
  • Web
Search

Mbahet certifikimi i 113 kandidatëve që kanë marrë pjesë në trajnime

Me datën, 13 Dhjetor 2013 u mbajt ngjarja “Certifikimi i grupeve të grave dhe fermerëve” nga Organizata IADK (Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë). Certifikimi u mbajt në objektin e ri të IADK-së në fshatin Sfaraçak i ulët p.n. Komuna e Vushtrrisë.

Të pranishëm ishin përveç pjesëmarrësve për certifikim edhe Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Z. Bajram Mulaku i cili përveç tjerash falënderoj IADK-ën për kontributin e dhënë në përmirësimin e mirëqenies së fermerëve dhe ngritjen e kapaciteteve. Ndërsa Drejtori Ekzekutiv i IADK-së Zenel Bunjaku i cili iu drejtua të pranishmëve duke ju uruar për suksesin e arritur dhe duke i siguruar për bashkëpunimin dhe përkrahjen e mëtejshme të IADK-së në përmirësimin e sektorit të bujqësisë dhe turizmit. Ndërsa Këshilltarja e Ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës Znj. Drita Kadriu ju drejtua pjesëmarrësve duke i informuar që është filluar angazhimi për regjistrimin zyrtar të moduleve të ushqimit për IADK-ën duke bërë kështu certifikatat që lëshohen nga kjo organizatë të jenë të plotfuqishme në çdo vend.

Certifikimi u krye për grupet si në vijim:

  • Grupi i grave për përpunim të ushqimit të modulit të qumështit, pemëve & perimeve
  • Grupi i grave për përgatitjen e ushqimeve tradicionale dhe
  • Fermerët, anëtarët nga Bashkimi i Shoqatave Bujqësore të Kosovës

Gjithsej numri i të certifikuarve ishte 113 pjesëmarrës. Pas certifikimit të pranishmit u shërbyen me ushqim tradicional të përgatitur nga grupet e grave të trajnuara.

Grupi i grave të trajnuara për përpunim të ushqimit të modulit të qumështit, pemëve & perimeve pas certifikimit do të vazhdojnë me përgatitjen e produkteve ushqimore për treg ku këto trajnime kanë pasur si synim ngritjen e kapaciteteve në mënyrë që grupet e grave të trajnuara të realizojnë të ardhura.

Grupi i grave të trajnuara për ushqimet tradicionale do të përgatitin ushqim tradicional për turistët në Zonën e Shalës ku nga ky aktivitet do të kontribuojnë në përmirësimin e mirëqenies së tyre.

Fermerët, anëtarët nga Bashkimi i Shoqatave Bujqësore të Kosovës janë certifikuar në temën: Lobim dhe Avokim për interesat e fermerëve në Kosovë.


Trajnimet janë mbajtur nga përkrahja e donatorëve: EED, CoS & FCA dhe Unioni Evropian.

Ceremonia u mbyll me një koktej me ushqime tradicionale të përgatitura nga grupet e grave të trajnuara ku kandidatët dhe të pranishmit patën rastin të shijojnë rezultatin e trajnimeve.

IADK do të vazhdojë edhe matej me realizimin e aktiviteteve në sferën e bujqësisë, shoqërisë civile, turizmit dhe energjisë alternative.