en-US
 
  • Site
  • Web
Search

Promovimi i Projektit të Turizmit Rural

Me datë 16 Shtator 2013 u mbajt ngjarja e promovimit të Projektit të financuar nga BE “Promovimi i shërbimeve të turizmit rural dhe infrastrukturës në zonën e Shalës” projekt ky i zbatuar nga IADK (Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë) në partneritet me Komunën e Vushtrrisë dhe Komunën e Mitrovicës.

Të pranishëm në promovim ishin Shefi i operimeve i Zyrës së Unionit Evropian në Kosovë Z. Christof Stock i shoqëruar nga Kryetari i Vushtrrisë Z. Bajram Mulaku dhe Drejtori Ekzekutiv i IADK-së Z. Zenel Bunjaku. 

Së pari u vizitua mulliri me ujë i restauruar në fshatin Samadrexhë. Gjatë kësaj vizite u shpjegua rroli dhe rëndësia e mullirit me ujë nga e kaluara deri më sot. Të pranishmit patën mundësinë të shohin për së afërmi se si funksionon mulliri dhe të mësojnë më shumë rreth prodhimit. Christof Stock potencoi faktin për rëndësinë e paketimit adekuat të produkteve dhe koncentrimi në produkte tradicionale dhe të veçanta. 


Pas vizitës tek mulliri me ujë, promovimi vazhdoi me vizitën tek dy fermerë përfitues nga aktivitetet e projektit. Me këtë rast u vizitua përfituesi i serrës për perime ku u panë për së afërmi perimet e kultivuara dhe në të njëjtën kohë u

vizitua edhe fermeri përfitues i pulave vojse. Gjatë ngjarjes së promovimit u panë edhe stendat mobile që shërbejnë si pika shitëse për përfituesit e serrave dhe pulave vojse. 

Promovimi vazhdoi me përurimin e urës në fshatin Sllakofc afër restorant “Trofta e Lumit” ku përurimi urës u bë nga Christof Stock, Bajram Mulakut dhe Zenel Bunjakut. Pas përurimit pati një prononcim për media ku Z. Christof Stock potencoi rëndësinë e zhvillimit të turizmit në zonat rurale dhe theksoi që ky projekt është një mundësi e mirë për promovimin e vlerave tradicionale dhe ofron bukuri natyrore për vizitorë potencial.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Z. Bajram Mulaku ceki faktin që komuna është partner në zbatimin e këtij projekti dhe me kapacitetet e saj kontribuon vazhdimisht në përmirësimin e infrastrukturës për banorët në këto anë.

Drejtori Ekzekutiv i IADK-së Zenel Bunjaku bëri një përmbledhje të aktiviteteve të projektit dhe theksoi që IADK ka bërë hapin e parë për promovimin e turizmit rural por mbetet që të vazhdohet me punë edhe më tej në mënyrë që banorët në këtë anë të përmirësojnë mirëqenien e tyre. 

Promovimi u përmbyll me një koktej rasti me ushqimet tradicionale të përgatitura nga grupi i grave të trajnuara nga IADK ku të pranishmit patën mundësinë të shijojnë produkte kualitative tradicionale.

Projekti përveç këtyre aktiviteteve ka edhe aktivitetet si më poshtë:

  • Ndërtimin e shtegut për këmbësorë dhe biçikletë,
  • Vendosja e shenjave/tabelave orientuese
  • Ndërtimi katër krojeve për ujë
  • Rritja e kualitetit dhe variacioneve të shërbimeve turistike,
  • Promovimi i energjisë të prodhuar nga uji
  • Restaurimi i gjashtë odave/bujtinave tradicionale.
  • Pajisja e dy restoranteve me biçikleta malore për vizitorë dhe turistë.
  • Fuqizimi i rolit të femrave në zonat rurale  përmes ngritjes së kapaciteteve në sektorin e përpunimit të ushqimit
  • Zhvillimi i Ekonomisë së Gjelbër në zonat rurale të shënjuara nga  projekti  nëpërmjet  ndërtimit të gjashtë serrave dhe pemishteve prezervuese.
  • Përkrahja e fermerëve të dhenve,  lopëve,  deleve, shpezëve-pulave dhe bletarisë.
  • Shkëmbimi i eksperiencave me zonat tjera për turizëm rural
  • Vizita studimore në zona tjera të përparuara të turizmit në Kosovë dhe në regjionin përreth.
  • Publikimi fletëpalosjeve /broshurave

IADK do të vazhdojë me realizimin e aktiviteteve në sferën e bujqësisë, shoqërisë civile, turizmit dhe energjisë alternative.