en-US
 
  • Site
  • Web
Search

U mbajt  punëtoria për mënyrën e organizimit të fermerëve në Kosovë

Më 21 Dhjetor 2012 në Hotel Victory në Prishtinë është mbajtur një punëtori  në të cilën janë diskutuar mënyrat e organizimit të fermerëve, ku ishin të pranishëm 51 pjesëmarrës.
Në kuadër të pjesëmarrësve kanë qenë  fermerë, shoqata të fermerëve,   përfaqësues të institucioneve publike, organizatave jo qeveritare të grave, student nga Fakulteti i Bujqësisë dhe ekspertë e konsultant të ndryshëm lokal. Qëllimi i kësaj punëtorie ka qenë prezantimi i punës së bërë nga IADK-ja në drejtim të organizimit të fermerëve dhe puna e mëtejme që duhet të bëhet në të ardhmen.

 Në fjalën hyrëse të drejtorit ekzekutivë  të IADK-së u theksua nevoja e një organizimi të mirëfilltë  të fermerëve në mënyrë që ata të kenë përfaqësuesit  dhe të dëgjohet zëri i tyre në institucionet e ndryshme shtetërore në të cilat merren vendime  për sektorin e bujqësisë. Ai më tej theksoji se që nga pas lufta fermerët janë organizuar në shoqata të ndryshme bujqësore me mbështetje të donatorëve të ndryshëm, por pas ndërprerjes së projekteve nga donatorët shumica e këtyre OJQ-ve janë pasivizuar dhe nuk kanë aktivitete, andaj është momenti që nga një organizim i tillë tejet i shkapërderdhur i organizimit të fermerëve të bëhet një riorganizim sa më i mirë, me qëllim të mbrojtjes dhe përfaqësimit të merituar të interesave të fermerëve.

Më tej u prezantuan disa përvoja të marra nga  vizitat në Maqedoni dhe Hungari të  bërë nga komiteti drejtues, dhe një Draft Statut i Organizatës së Fermerëve të Kosovës, për të cilin priten kontributet dhe sugjerimet nga palët që janë në interes të këtij organizimi të fermerëve.

 Pjesëmarrësit janë ndarë në tri grupe për të diskutuar tri çështje tematike të kësaj punëtorie:

·         Forma e organizimit të fermerëve/Organizata(Unioni) i Fermerëve të Kosovës

·         Procedurat e organizimit të asamblesë së përgjithshme

·         Qëndrueshmëria financiare e organizatës së fermerëve të Kosovës

 Pas prezantimeve të grupeve punuese, u nxorën konkluzionet, që:

  • Organizata e Fermerëve të Kosovës të themelohet duke marrë për bazë organizimin sektorial të fermerëve, por po ashtu duke mos anashkaluar edhe atë regjional, që do të thotë se duhet të bëhet një kombinim sa më reprezentativ dhe gjithëpërfshirës i fermerëve dhe organizatave të tyre
  • Pa marrë parasysh formën e organizimit të fermerëve; sektorial, regjional apo edhe kombinimi i të dyjave, duhet të formohet Kuvendi i Përgjithshëm i Organizatës së Fermerëve të Kosovës, i cili cakton bordin drejtues dhe organet tjera udhëheqëse
  • Sa i përket qëndrueshmërisë financiare të organizatës janë përmendur mënyra të ndryshme të krijimit të hyrave duke filluar nga pagesat e anëtarësisë,  projekteve të ndryshme që do të përgatiten, shërbimeve këshillimore, nga subvencionet e ndryshme të fermerëve apo shoqatave të tyre, ndikimeve në ligjet e ndryshme për të gjetur mundësi financimi për fermerët gjegjësisht organizatën e fermerëve

Në bazë të këtyre konkluzioneve por edhe sugjerimeve tjera të paraqitura në këtë punëtori IADK dhe komiteti drejtues për themelimin e organizatës së fermerëve do të vazhdojë punën dhe takimet e tjera me fermerët dhe organizatat e fermerëve të Kosovës edhe në vitin 2013, duke pasur gjithnjë rolë lehtësues gjatë gjithë kohës deri në themelimin e mirëfilltë të  këtij organizimi.