en-US
 
  • Site
  • Web
Search

Promovohet fillimi i projektit "Edukimi dhe Konsolidimi i Fermerëve në Kosovë"

Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK),  prezantoi në Hotel Pishtina projektin “Edukimi dhe konsolidimi i fermerëve në Kosovë”, projekt ky i cili u cilësua si mjaftë i rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë në vend. Njëra prej komponentëve të këtij projekti, është edhe konsolidimi apo krijimi i një ombrelle të shoqatave në nivel të Kosovës, gjë e cila deri më tani ka munguar.

Zenel Bunjaku, drejtor ekzekutiv i IADK-së, tha se ky është një projekt i ri dhe mjaftë sfidues, pasi që në të ka komponentë, të cilët bëhen për herë të parë në Kosovë.

“Tani më nuk ka dilema që fermerët e regjionit tonë, ku janë klient tonë, nuk dinë për prodhimin e dredhëzës, mollës apo grumbullimin e qumështit. Nga regjioni jonë nga prodhuesit tonë, niveli i importit për këto produkte, gati ka ardhur në zero. Kur imagjinohet që asnjë litër qumësht nuk është grumbulluar para themelimit tonë dhe tani grumbullohen 20 mijë litra qumësht brenda ditës, kjo tregon vet se ku ishim dhe ku kemi arritur deri më tani”, tha ai.

Mirëpo sipas tij tani fermerët nuk duhet të prodhojnë vetëm sasi, por të prodhojnë edhe cilësi, dhe cilësitë e tyre duhet të jenë të dëshmuara, pasi që siç tha ai IADK-së i mbetet lokomotiva që është nisur për në në Bruksel, të vendos në vagonin e fundit një grup të fermerëve, të cilët do ta ngrisin standardin e tyre dhe do të jenë konform BE-së. Megjithatë ai kërkoi një konsolidim të fermerëve kosovarë, pasi që sipas tij ende nuk kanë një përfaqësim unik, sa i përket kërkesave të tyre.

“Të bëhet një organizim më i mirë, pasi që të gjitha shoqatat janë të frustruara prej fragmentizimit të tyre. Të gjitha flasin si individ, por ende se kemi një përfaqësim unik, që do të fliste në emër të të gjithë fermerëve të Kosovës. Njëra prej komponentëve të këtij projekti është edhe konsolidimi, krijimi i një ombrelle të shoqatave në nivel të Kosovës”, pohoi ai.

Ndërsa ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci shprehu admirimin e tij për punën që po bëjnë organizatat e ndryshme për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë. Sipas tij MBPZHR-ja po punon në një organizim shumë më të mirë të shërbimeve këshillimore, brenda ministrisë dhe nivelin lokal, në mënyrë që të jenë më afër fermerëve.

“Besoj se nëse shohim aktivitete të tilla, pra të organizatave të tjera dhe donatorëve që mbështesin këto organizata, përfundimisht mund të konstatojmë që ky sektor po hyn në binarët e duhur, po e merr rrugën, të cilën do të duhej ta kishte dhe ta merrte shumë më herët, me një ritëm me një tempo, me një dinamikë dhe entuziazëm krejt ndryshe, duke i ditur potencialet dhe mundësitë që ofron ky sektor dhe vendi ynë me burimet që i kemi”, tha ai.

Stavileci po ashtu pohoi se duhet të bëhet konsolidimi dhe organizimi i fermerëve, pasi që MBPZHR-ja, ka një plan ambicioz, dhe po bëhen përpjekje për të përgatitur një plan më të mirë, në mënyrë që kërkesat e tyre të shndërrohen në formë të projekteve. Në emër të ministrisë që ai drejton, premtoi vazhdim edhe të mëtutjeshëm të bashkëpunimit dhe përkrahjes për bujqit kosovarë, sidomos tani që sektori i bujqësisë po hynë në një fazë shumë të rëndësishme të zhvillimit.


Christof Stock, Shef i Operacioneve të Zyrës së BE-së, tha se ndihet i nderuar që është i pranishëm në prezantimin e këtij projekti, i cili sipas tij padyshim se do të ketë sukses. Ai po ashtu e cilësoi si shumë të rëndësishme edhe krijimin e një unioni të përbashkët të fermerëve në mbrojtjen e interesave të tyre.

“Kam parë përkushtim të IADK-së si dhe femrave që janë të lidhura me këtë organizatë. Takimi me gratë fermerë, ka qenë një mundësi për të parë se çfarë vullneti kanë gratë për të prodhuar produkte kualitative. Jam i sigurt se do të keni sukses në implementimin e këtij projekti. Jam i sigurt që kjo do t’i mundësojë fermerëve të rrisin të hyrat e tyre, punësimin dhe zhvillimin ekonomik. Ideja për të krijuar një union të përbashkët të fermerëve, është e rëndësisë së veçantë, sepse ata duhet t’i mbrojnë interesat e tyre”, pohoi Stock.

Projekti “Edukimi dhe konsolidimi i fermerëve kosovarë“, i cili synon të kontribuojë në organizimin dhe edukimin e fermerëve, në ngritjen kualitative dhe diversifikimin e prodhimtarisë bujqësore në Kosovë, kap vlerën prej 1.3 milionë euro. Këtë projekt, e mbështesin tre donator nga Gjermania, Finlanda dhe Suedia.

Komponentët e projektit janë prodhimtaria organike dhe se për herë të parë do të fillohet me shfrytëzimin dhe përdorimin e energjisë alternative në bujqësi, që do të jetë risi në këtë projekt.
Posted in: Lajmi në fokus