en-US
 
  • Site
  • Web
Search


Gjatë viteve të fundit, mjedrat në Kosovë kanë fituar popullaritet të konsiderueshëm në mesin e fermerëve. Për shkak të përfitimeve nga kjo kulturë, dëshira për të kultivuar mjedrën ka arritur një interes të jashtëzakonshëm. Një punë e madhe është bërë gjithashtu në ngritjen e shumë qendrave të grumbullimit të cilat kanë krijuar mundësinë që fermerët e Kosovës ta eksportojnë këtë produkt në vendet e Bashkimit Evropian.

Mjedrat përveç atraktivitetit të tyre dhe duke qenë një kulturë relativisht e re në Kosovë, ajo gjithashtu përballet me shumë rreziqe që mund të ndikojnë në nivelet e tyre të prodhimit. Shumica e këtyre rreziqeve burojnë nga ngjarjet e motit, me theks të veçantë në temperaturat jashtëzakonisht të larta gjatë periudhës të lulëzimit dhe vjeljes. Efekti i temperaturës së lartë varet nga niveli i temperaturave të larta dhe gjatësia e ekspozimit të saj, si dhe faza e zhvillimit të frutave. Nëse temperaturat janë të larta gjatë kurorës së luleve të mjedrës, atëherë pjalmimi nuk ka gjasë të ndodhë; që përfundimisht çon në mos-prodhim – pemishte pa fruta.

Përveç masave agronomike që fermerët marrin përsipër për të mbrojtur prodhimet  e tyre, një nga zgjedhjet më të përshtatshme për të siguruar prodhimin nga rreziqet e motit është instrumenti financiar, i njohur si sigurim bujqësor. Ky instrument financiar, i cili përdoret gjerësisht në shumë vende të botës, kohëve të fundit është prezantuar edhe në Kosovë, duke bërë një nga produktet e para të sigurimit bujqësor  në dispozicion të fermerëve Kosovar. Skema e sigurimit të indeksit bujqësor për Mjedër ofron vazhdimësi të biznesit për fermerët, në rast humbjeje. Për më tepër, kjo skemë  përfaqëson një mjet të rëndësishëm për të lehtësuar rreziqet dhe për të siguruar një rrugë më të sigurt për zgjerimin e biznesit.

Gjatë dy viteve të fundit, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (këtu e tutje - MBPZHR) në bashkëpunim me Korporatën Ndërkombëtare të Financave (këtu e tutje –IFC),  anëtare e Grupit të Bankës Botërore kanë punuar së bashku për krijimin e një sistemi të sigurimeve bujqësore në  Kosovë. Si rezultat, disa produkte të sigurimit bujqësor janë  vënë në dispozicion në treg, përfshirë sigurimin e mjedrës.

Viti 2019 ka shënuar një vit shumë të rëndësishëm pasiqë për herë të parë fermerët kosovarë kanë pasur mundësinë të blejnë polisa të sigurimit bujqësor të mjedrës. Për ta lehtësuar më tej këtë proces, gjatë këtij viti, MBPZHR-ja subvencionoi për herë të parë primin e sigurimit për produktin e mjedrës në kuadër të Programit të Zhvillimit Rural 2019. Në kuadër të këtij programi, MBPZHR-ja prezantoi skemën më të re të subvencioneve, e cila mbulon pesëdhjetë përqind (50%) të kostos së polisës së sigurimit për të gjithë fermerët që kanë blerë dhe do të blejnë sigurime bujqësore.

Prandaj, gjatë këtij viti (2019), kjo skemë u implementua me sukses. Fermerët që më herët kanë blerë  polisat e sigurimit bujqësor për mjedër, kanë aplikuar  në këtë skemë për të marrë më vonë kompensimin nga MBPZHR-ja. MBPZHR është e përkushtuar të mbështesë të gjithë prodhuesit e mjedrës që blenë polisa të sigurimeve, dhe të gjithë fermerët e tjerë që do të blejnë skema të sigurimeve për produkte të tjera.

Këtë vit, prodhuesit e mjedrës ishin "pionierët" e sistemit të sigurimeve bujqësore në Kosovë. Kjo mundësi e re e krijuar është  shfrytëzuar nga një grup prej 12 fermerëve të mjedrës të Kosovës. Kompania e sigurimeve ELSIG ishte pionierja dhe mori udhëheqjen për të shitur polisat e para të sigurimit për Mjedër në Kosovë dhe kjo krijoi një mjedis të mirë për testimin e sistemit të sigurimeve bujqësore i cili po piloton për herë të parë dhe ka lëshuar 12 polisa të sigurimit në lokacione të ndryshme në Kosovë dhe rrjete të ndryshme për të provuar këtë platformë në funksionalitetin të këtij sistemit, dizajnimin e softuerit, polisat dhe testin e kufinjëve të prekur për vlerësimin e humbjeve.

Të gjitha 12 polisat e lëshuara kishin një kohë të vlefshmërisë nga 1 korriku deri më 31 gusht 2019 në total 62 ditë mbulim rreziku ndaj temperaturës së lartë 29 ° c dhe më lart për 10 ditë rresht. Vera 2019 në Kosovë u shoqërua me temperatura të larta. Prandaj, në disa lokacione të Kosovës janë prekur kufinjët e sigurimeve, duke nënkuptuar që fermerët që gjenden në këto vende, do të marrin kompensimin nëse janë të siguruar. Në përgjithësi, vetëm në 2 vende janë prekur kufinjët e sigurimit, ku fermerët kishin blerë polisat e sigurimit. Gjatë ditëve të ardhshme, fermerët do të marrin pagesat e dëmshpërblimit për humbjet në pemishtet e tyre, duke i bërë ata fermerët e parë në Kosovë që përfitojnë nga skemat e sigurimeve bujqësore.

Më poshtë, është një përshkrim i shkurtër i njërit prej fermerëve, i cili ka blerë për herë të parë një skemë sigurimi për mjedër.

Z. Xhavit Kozhani është një nga 4 fermerët që ka përfituar nga Kompania e Sigurimeve Elsig pagesën e dëmshpërblimit, pasi ai ishte ndër fermerët e parë që vendosi të blej polisën e sigurimeve. Z. Kozhani bleu një polisë sigurimesh për pemishtën e mjedrës prej 0,39 Ha në Lipjan.

Si rezultat i temperaturave shumë të larta që mbizotëruan gjatë muajit gusht në Kosovë, ku termometri është ngrohur për më shumë se 10 ditë rresht mbi 29 gradë celsius, ka ndodhur që pemishtja e fermerit Z. Xhavit Kozhani të preket dhe si rezultat të pësojë humbje në vlerë 65% të prodhimit.

Por këtë vit, në krahasim me vitet e tjera, Z. Kozhani ka blerë polisën e sigurimeve për pemishte e tij, e cila e siguroi atë që disa nga shpenzimet e investuara operative do të rimbursohen nga kompania e sigurimeve ELSIG.

Z. Kozhani është shumë i kënaqur me tërë procesin dhe se si është vlerësuar llogaritja e humbjes. Ai tha se: "Unë kurrë nuk do ta imagjinoja që me blerjen e polisës së sigurimit që në vitin e parë pemishtja ime do të dëmtohet nga temperaturat e larta dhe Kompania ime e Sigurimeve do të kompensojë këtë humbje për mua". Ai beson se edhe fermerët tjerë do të vazhdojnë me veprim të njëjtë dhe vitin e ardhshëm do të blejë polisa të sigurimit për mjedrat e tyre.

Si vit pilot i sistemit të sigurimeve bujqësore në Kosovë po i ofrohet fundi, MBPZHR në bashkëpunim të ngushtë me IFC do të kryejë një rishikim të thellë të sistemit duke përfshirë testimin e produktit, modalitetet e softuerit, kufinjët e prekur, produktet e ardhshme me qëllim të përmirësimit të këtyre produkteve dhe ti bëj ato më të përshtatshme për sezonin e ri.
Gjatë vitit 2019, 33% e fermerëve të siguruar do të marrin kompensim. Ky është një hap pozitiv drejt zhvillimit të ardhshëm të sistemit të sigurimeve bujqësore në vend. Promovimi i pagesave të kompensimit për fermerët e tjerë do të ndikojë pozitivisht në blerjet e ardhshme të produkteve të tjera të sigurimeve në vend.
Produkti i ardhshëm i sigurimit që do të jetë në dispozicion për fermerët është produkti i Sigurimit Indeks të Rrushit të Verës, i cili tashmë është në dispozicion për t'u blerë nga prodhuesit e rrushit.

Ky produkt paraqet periudhën kritike kur rrushi i verës është jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm ndikues siç janë: Temperaturat ekstreme të ulta të dimrit për vreshtat e rrushit të verës – periudhë kjo mes 1 dhjetorit deri me 19 mars - kur ekziston mundësia për të arritur temperatura ekstreme të ulta deri në ≤-30 ° C dhe ngrica e pranverës së vonë – nga 20 Marsi - 15 Maj – ku nga ngricat Pranverore pjesët më të mëdha të sythave, veçanërisht vezoret, lulet dhe frytet e reja janë shumë të ndjeshme. Kultivuesit e rrushit të verës mund të blejnë polisën e sigurimimit deri më 30 Nëntor, deri në në orën 24:00.

Për informacione të mëtejshme për këtë produkt, ju lutemi vizitoni një nga kompanitë më të afërta të sigurimeve: ELSIG, KOSOVA RE, EUROSIG, SIGAL dhe SIGURIA.